I thirrur në pronën e xhaxhait të tij të kamur, kolonel Jegor Iljiçit, Sergeji, ende student, përfshihet krejt papritur në një botë të trazuar dhe të çuditshme. Ai zbulon se xhaxhai i tij, ai njeriu i butë dhe zemërmirë, është nën ndikimin e plotë të një pseudo-intelektuali despotik por qesharak, të quajtur Foma Fomiç. Ky i fundit është një mashtrues që ka fituar besimin e nënës së Jegorit dhe tashmë sundon mbi gjithë shtëpinë.
Duke parë për orë të tëra teatrin absurd të këtij tirani shtëpiak, Sergeji mbushet me zemërim, derisa më në fund vendos të ndërhyjë.
Në këtë roman plot humor të hidhur dhe satirë të hollë, Dostojevski sjell një tablo brilante të marrëzive njerëzore dhe tiranisë së vogël që fshihet në jetën e përditshme. “Fshati Stepançikovo dhe banorët e tij” na hap gjithashtu një dritare largpamëse për formimin e temave, karaktereve dhe situatave që do të përvijoheshin më vonë në veprat madhore të autorit, si “Idioti”, “Djajtë” dhe “Vëllezërit Karamazovë”.
Kështu, “Fshati Stepançikovo” na vjen si një roman i gjallë, plot ritëm dhe karaktere të paharrueshme, të cilat na ftojnë të qeshim dhe reflektojmë për dromcat e tiranisë që mund të bartë brenda vetes çdo njeri.